Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Autoriteti Menaxhues në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural  ka njoftuar se është shtyrë afati për dorëzimin e aplikimeve, në kuadër të Programit IPARD II deri në datën 15 Janar 2020.

Në njoftimin zyrtar, mësohet se aplikimet duhet të dorëzohen vetëm në zyrat qendrore të AZHBR-së në zarfe të mbyllura me titullin Thirrje për Dorëzimin e Aplikimeve, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin “Të mos hapet përpara dorëzimit”, deri në datën 15 Janar 2020, sipas orarit zyrtar 08:00 -16:30.

Aplikimet duhet të dorëzohen si më poshtë:

• Nëpërmjet dërgesës postare rekomande

• Dorazi (duke përfshirë shërbimet koriere) direkt në Autoritetin Kontraktues në këmbim të një mandati dorëzimi me firmë dhe datë nga: Aplikimet e dërguara nëpërmjet çdo mënyre tjetër (p.sh. me faks apo e-mail) apo të dërguara në adresa të tjera do të refuzohen.

Çdo aplikim i mbërritur në AZHBR pas datës 15 Janar 2020 do të refuzohet.

Programi IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA II) për Zhvillimin Rural (IPARD), kontribuon me 94 Milionë Euro, fonde nga BE dhe Qeveria Shqiptare, për harkun kohor 2014-2020, me qëllim zhvillimin e sektorit agro-ushqimor. Programi IPARD II ka objektiv dhe prioritet mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor, përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërisë me standardet e BE-së, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.

Thirrja është e hapur për të gjithë (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, agropërpunimit dhe zhvillimit rural, nga data 30 Tetor – 15 Janar 2019, në masat e mëposhtme:

Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” në sektorët: Qumësht, Mish, Fruta-Perime,Vresht.

Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” në sektorët: Qumështi dhe përpunimi i qumështit, Përpunimi i mishit, Përpunimi i frutave dhe perimeve, Vera.

Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” në sektorët: Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve dekorative, kërmijve; Përpunimi dhe tregëtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore (qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës); Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale; Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur): Turizmi rural dhe i natyrës; Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale; Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures; Prodhimi i energjisë së rinovueshme.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milion EURO nga të cilat 75% ose 43.26 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit.

/newsbomb/