ATSH/ Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka shpallur thirrjen e pestë të “Programit Kombëtar të Praktikave të Punës”.

Aplikimi është i hapur për të rinjtë, që përmbushin këto kritere: Të jenë 21-26 vjeç; Të kenë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”; Të mos kenë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme.

Të rinjtë e interesuar duhet të aplikojnë vetëm në një institucion të caktuar, në të kundërt aplikimi i tyre nuk do të merret në konsideratë.

Dokumentet që duhet të ngarkojnë aplikantët janë: CV (jetëshkrimin) e aplikantit; Letra e motivimit.

Afati për aplikim është nga data 7 shkurt deri më datë 29 shkurt 2020.

Pas mbylljes së aplikimeve, institucionet përkatëse do të lajmërojnë nëpërmjet postës elektronike të përzgjedhurit për të filluar praktikën 3-mujore, nga data 9 mars – 9 qershor 2020.

Pjesëmarrësit do të përfshihen në një përvojë pune, në ndërveprim me profesionistët në administratën publike, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e njohurive praktike, pasurimin e jetëshkrimit të tyre, zgjerimin e rrjetit të kontakteve, pajisjen me të ashtuquajturat “aftësi të buta” si, puna në grup, komunikimi i sigurtë, përshtatshmëria në ambientin e punës, aftësia për të ndërmarrë iniciativa.

Periudha tremujore e praktikës do të njihet si përvojë pune nga Departamenti i Administratës Publike, ndërsa në përfundim të saj ofrohet punësim për mbi 200 më të mirët.