ATSH – I. Vata/- Është mbajtur takimi i dytë i Bordit Drejtues të Projektit të Sigurisë Ushqimore, ku u nënvizua puna e bërë në vitin 2019 nga projekti i financuar nga BE-ja dhe u diskutuan planet për vitin 2020, periudhë e cila konsiderohet si shumë e rëndësishme për zbatimin e projektit katërvjeçar.

AKU sqaroi se “takimi u mbajt në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nën drejtimin e zv.ministres Emira Gjeci me pjesëmarrjen e institucioneve përfituese, si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me Drejtorin e Përgjithshëm Robert Lili, dhe kreun e Institutit të Sigurisë dhe Veterinarisë Armand Reveli. Përgjatë takimit u shprehën mendime rreth përparimit dhe planeve të së ardhmes për të forcuar strukturat teknike, për të rritur ndërgjegjen e publikut dhe për të përmirësuar legjislacionin e sigurisë ushqimore në Shqipëri”.

“Pjesëmarrëse në mbledhjen e Bordit Drejtues ishte edhe kreu Ekzekutiv i FSAI, Pamela Byrne, e cila u shpreh për projektin dhe rëndësinë e tij në forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë për të mbrojtur konsumatorët.

Projekti “Mbështetje për sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe standardeve të fitosanitetit” vihet në zbatim nga një grup i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore të Irlandës (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Ushqimit në Finlandë, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë, dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.