Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar të  Integrimit Europian (KKIE) në Kuvendin e Shqipërisë. Tema e diskutimeve ishte “Sundimi i  ligjit dhe Progresi i bërë në Luftën kundër Krimit të Organizuar”. Në cilësinë edhe të anëtarit të këtij Këshilli, Marku informoi  mbi progresin e prokurorisë si pjesë e sistemit të drejtësisë penale me synim sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave për vitin 2019.

Në fjalën e saj Prokurorja e Përgjithshme  Arta  Marku  tha se  në zbatim të rekomandimit për përparimin e mëtejshëm drejt ndjekjeve dhe dënimeve përfundimtare kundër grupeve të organizuara kriminale, gjatë vitit 2018 në veprimtarinë e prokurorisë evidentohet përparim dhe rritje e numrit të hetimeve pro-aktive në ndjekjen penale kundër grupeve të strukturuara kriminale, duke përdorur mjetet speciale të hetimit në 64 procedime për veprat penale në fushën e trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave apo krimeve të tjera të rënda.

Lidhur me luftën kundër narkotikëve, treguesit statistikorë evidentojnë tendencë në ulje të numrit të procedimeve të regjistruara, rrjedhojë e goditjes dhe parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë gjashtë mujorit 2019 në sajë të përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit (përgjimit të komunikimeve), është mundësuar kryerja e arrestimit/ndalimit të 331 personave të dyshuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në kuadër të 235 procedimeve për këto vepra.

Kryeprokurorja  Arta Marku  siguroi  anëtarët e  KKIE se  prokuroria ka marrë rol të rëndësishëm dhe proaktiv, në trajtimin e kërkesave të paraqitura  nga autoritetet gjyqësore të huaja për ekstradimin e shtetasve nga Shqipëria drejt shteteve kërkuese apo për njohjen dhe ekzekutimin në Shqipëri të vendimeve penale të huaja të dhëna ndaj shtetasve shqiptarë. /atsh