Partia Socialiste ka nisur spastrimet në bazë. Pas zgjedhjeve të qershorit, Kryesia dhe Asambleja e PS vendosën që të mbahen zgjedhje në të 60 degët në vend. Pas disa muajve përgatitje, ditët e fundit ka nisur procesi zgjedhor në disa qytete. Ditën e enjte u mbajtën zgjedhjet e brendshme në qytetin e Durrësit, zgjedhje të cilat u shoqëruan me përplasje e kundërshti brenda partisë. Ardit Kërtusha ishte një ndër emrat që doli kundër zgjedhjeve, duke dhënë edhe dorëheqjen për kreun e Partisë Socialiste Durrës. Me tone të ashpra, ai sulmoi në mënyrë të drejtpërdrejtë ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, duke deklaruar se listat për kandidatë nuk ishin reale, por farse, që përcaktonin fituesin. Por me tensione të forta janë mbajtur ditën e djeshme edhe zgjedhjet në Peqin. Disa persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin me sende të forta jashtë ambienteve të selisë së PS, ku si pasojë njëri prej tyre mbeti i plagosur dhe u dërgua për ndihmë mjekësore në spital. I gjithë konflikti ka nisur për shkak të procesit zgjedhor për kryesimin e PS në Peqin, ku i pranishëm ishte edhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Por ditën e djeshme ka pasur proces zgjedhor edhe në Kuçovë. Edhe në këtë qark, ka pasur debate dhe përplasje të ashpra mes tyre. Lajmin për zhvillimin e zgjedhjeve në Kuçovë e bëri me dije deputetja Ermonela Felaj, e cila përmes një statusi në rrjetin social uroi kryetarin e sapo zgjedhur Sybi Shehu. “Sapo përmbyllëm procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Socialiste të Bashkisë Kuçovë. Faleminderit të gjithë anëtarëve tanë të asamblesë së zgjeruar për pjesëmarrjen, vlerësimin dhe seriozitetin e zhvillimit të procesit! Suksese kryetarit të rizgjedhur, Sybi Shehu dhe shokut tonë, kandidatit tjetër Fatmir Doksani, për frymën e bashkëpunimit në asamblenë tonë. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë se na ndajnë dhe më e madhja nga këto është Partia Socialiste! Suksese dhe të gjithë socialistëve kudo që janë”, tha Felaj. Por Partia Socialiste ka bërë gati listën e të gjithë delegatëve për Kongresin i cili do të mbahet në datën 29 shkurt. Një pjesë e kandidatëve janë emra të njohur për publikun në politikën shqiptare.

Reagon Balla