Puka turistike, qyteti i vogël me bujari të madhe

E cilësuar si parajsa e fshehur e Veriut, Puka është kthyer tashmë në një destinacion turistik duke ofruar për vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Investimet e qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë transformuar qytetin dhe frymëzojnë të rinjtë të punojnë dhe jetojnë në qytezën alpine.

Sipas FSHZH-së, faza II e projektit po bëhet gati dhe do të fillojë së shpejti.

Për të promovuar Pukën si destinacion në hartën e turizmit të rinjtë e “Discover_Puka” kanë përgatitur një video me pamje nga ky qytet, i ndodhur në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana.

Një qytet i vogël me “bujari e mikpritje të madhe”, kështu e cilësojnë turistët që vizitojnë për herë të parë Pukën. Puka është një qytet alpin në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana. Ajo mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra, për të përballuar më tej ditët e lodhshme të punës dhe zhurmat e qyteteve të mëdha. Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta.

Vendi parë për t’u eksploruar është liqeni i qytetit, i sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizimit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe mali i Krrabit. /atsh