Ministria e Kulturës, në fokus të saj ka patur dhe do vazhdojë të ketë edhe gjatë këtij viti, edukimin dhe afrimin e brezit të ri me librin dhe kulturën, kjo për t’i bërë ata gjeneratën e re drejt së ardhmes.

Ky është një nga objektivat e Ministrisë së Kulturës edhe për vitin 2019. Për vitin 2019 do krijohet një institucion i ri kombëtar për t’i dhënë përparësi politikave në fushën e librit dhe edukimit. Do krijohet gjithashtu dhe qendra kombëtare e librit dhe leximit, e cila do jetë një agjenci në nivel kombëtar për të ekzekutuar në territor të gjitha politikat dhe programet e Ministrisë së Kulturës.

Kjo qendër kryesisht do merret me programe edukimi, me promovimin e letrave shqipe, me nxitjen e leximit si një mjet të domosdoshëm për edukimin dhe emancipimin e shoqërisë, por edhe për të zënë kohën e lirë të rinjve që ta shpenzojnë në mënyrë produktive. /atsh