“Nuk është synimi ynë të penalizojmë dhe të gjobisim bizneset, por synimi ynë është që të kemi një mjedis të pastër në Shqipëri dhe të kemi reduktim maksimal të qeseve plastike”.

Kështu deklaroi sot në një prononcim për ATSH-në, zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, e cila evidentoi masat që janë ndërmarrë për reduktimin e qeseve plastike në vend.

“Puna e Ministrisë përsa i përket zbatimit të VKM-së 232 të vitit 2018 për qeset plastike është fokusuar në tre drejtime kryesore. Së pari kanë qenë takimet me target-grupet te të cilat fokusohet kjo VKM, me shoqatat e prodhuesve, me shoqatat e prodhuesve të plastikës, me shoqatat e ricikluesve, bashkimin tregtar, rrjetin e supermarketeve”, tha Çuçi.

Ajo theksoi se takimet do të vazhdojnë me të gjithë target-grupet deri tek tregtarët e vegjël.

Po ashtu, Çuçi informoi se gjatë muajit korrik ka filluar monitorimi i prodhuesve të plastikës.

“Janë monitoruar aktualisht 9 subjekte në Durrës, 2 subjekte në Fier dhe 6 subjekte në Tiranë për trashësinë e qeseve plastike. Deri tani është evidentuar vetëm një subjekt që nuk e respektonte këtë ligj dhe është gjobitur me vlerën 1 milionë lekë të reja. Janë marrë mostra për t’i çuar në laboratorë dhe janë konfirmuar faturat e TVSH-së të blerjes së biodegraduesit për sasinë e qeseve përkatëse. Edhe gjurmueshmëria ka qenë konform standardeve”, tha Çuçi.