Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka pritur sot në një takim zyrtar një përfaqësi të Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri, i kryesuar nga Presidenti i Grupit, Rachel Mazuir.

Në takim, sipas ministres Gjonaj u diskutuan arritjet e qeverisë, ndërsa u theksuar mbështetja e qeverisë franceze në rrugëtimin e vendit tonë drejt BE

“Kisha nderin të prisja në një takim zyrtar një përfaqësi të Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri, i kryesuar nga Presidenti i Grupit,  Rachel Mazuir. Në përbërje të delegacionit ishin Sekretari Ekzekutiv,  Alban Wydouw-Aziavi, Senatorët francez, René Danesi dhe Jean-Jacques Lozach, të shoqëruar nga Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak si dhe nga përfaqësuesja e Parë e Ambasadës Franceze në Shqipëri Isabelle Le Guellec dhe Edmond Xhabija, Atashe shtypi”, bënë të ditur Gjonaj.

“Qëllimi dhe objektivi i kësaj vizite ishte njohja dhe diskutimi për zhvillimet e Reformës në Drejtësi, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, mekanizmat e ngritura për luftën kundër korrupsionit dhe rezultatet konkrete që janë shënuar nga Task Forca Antikorrupsion në muajt e fundit”, sqaron ministrja Gjonaj.

“Presidenti i Grupit të Miqësisë, Rachel Mazuir, vlerësoi maksimalisht rezultatet e deritanishme të Reformës në Drejtësi dhe e cilësoi si gurin e themelit të çdo hapi të mëtejshëm që Shqipëria do të ndërmarrë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, njofton Gjonaj.

Mazuir përgëzoi punën e bërë nga Task Forca Antikorrupsion me mekanizmat e ngritura dhe masat e marra nga Qeveria Shqiptare për të luftuar korrupsionin si dhe rezultatet e deritanishme janë për t’u përshëndetur.

Ai siguroi se Qeveria Franceze do të mbështesë Shqipërinë drejt rrugës në BE dhe nënvizoi se rezultate e arritura tregojnë se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt së cilës duhet të vazhdojë të ecë. /a.g/