Qeveria ka ndryshuar përcaktimet ligjore sa i takon instalimit të sistemit të sigurisë 41 BIS, për izolimin e bosëve të krimeve. Në Kuvendin e Shqipërisë ka shkuar një ligj i ri për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, ku janë bërë ndryshime në nenin 18 të regjimit të posaçëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë. Më konkretisht ka ndryshuar gama e listave të personave që vuajnë dënimin. Kështu në ligjin aktual thuhet se personat që izolohen janë ata që kanë kryer vepra në kuadër të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste ose për vepra me qëllime terroriste. Ndërkohë, në pikën 2 të nenit 18 të projektligjit që ka shkuar në Parlament, izolimi në sistemin 41 BIS mund të hyjnë edhe të burgosur që kanë kryer vepra të tjera penale, por që hyjnë tek të rrezikshmet. “Pavarësisht me sa është parashikuar në pikën 1, të këtij neni, regjimi i posaçëm zbatohet edhe ndaj të dënuarve ose të paraburgosurve të cilët kanë rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve me pjesëtarët e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura ose të grupeve të strukturuara kriminale”, thuhet në pikën 2 të nenit 18 të projektligjit që ka shkuar në Parlament.

Ja kush mund ta japë urdhrin për izolim

Por interesant është fakti se në projektligjin e ri që ka shkuar në Kuvendin e Shqipërisë ka ndryshuar edhe atributi që ka titullari që jep urdhër për izolimin e bosëve të krimit, sipas sistemit 41 BIS. Në ligjin aktual vendimin për vendosjen e të dënuarit ose të paraburgosurit në regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë merret nga Ministri i Drejtësisë mbi kërkesën e arsyetuar të Drejtueseve të Prokurorisë së Posaçme. Por në ligjin e ri është specifikuar se është kryeprokurori i SPAK ai që vendos dhe jo duke lënë evazive drejtuesit, pasi aty futen dhe drejtues të drejtorive e departamenteve. “Vendimi për vendosjen e të dënuarit ose të paraburgosurit në regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë merret nga ministri i Drejtësisë, mbi kërkesën e arsyetuar të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Për marrjen e këtij vendimi, ministri i Drejtësisë bazohet në konsultimin me ministrin e Brendshëm, në të dhënat/informacionet e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe organeve të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, sipas fushave të përgjegjësisë”, thuhen në projektligj.

Zgjatet periudha për izolimin e “bosëve”

Mirëpo, në projektligjin që ka shkuar në Parlament parashikohet të ndryshohet edhe periudha për izolimin e “bosëve”. Në ligjin aktual të burgosurit “VIP” izoloheshin deri në një vit, sipas sistemit 41 BIS. Ndërkohë, në projektligjin e depozituar në Parlament dhe që disponon gazeta, zgjatet periudha për izolimin e “bosëve” më shumë se një vit. “Kohëzgjatja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë është një vit, dhe mund të zgjatet për periudha të tjera njëvjeçare. Zgjatja e këtij regjimi vendoset kur rezulton se ekziston akoma mundësia që i dënuari apo i paraburgosuri të jetë i aftë për të mbajtur lidhjet me organizatën kriminale, grupin e strukturuar kriminal, bandën e armatosur apo organizatën terroriste. Pra, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e përfundimit të çdo periudhe njëvjeçare, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund t’i propozojë ministrit të Drejtësisë zgjatjen e këtij regjimi”, thuhet në projektligj.

Rigels Seliman