Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (ShÇBA) fton qytetarët dhe mediet të denoncojnë çdo rast abuzimi të punonjësve të tij me ndihmat për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Lidhur me pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale e më pas në disa media online, ku shfaqen punonjës të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) që shkarkojnë disa pako, sqarojmë se pakot me ndihma janë prova materiale të sekuestruara në operacionin e datës 28.11.2019, ku u arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 1 punonjës i shërbimit zjarrfikës, si edhe u proceduan penalisht 2 shtetase për veprat penale të “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës””, – bën të ditur ShÇBA.

 

Procedimi i shtetasve të mësipërm u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

 

“Me urdhër të Prokurorisë, të gjitha provat materiale të sekuestruara gjatë këtij operacioni janë magazinuar pranë magazinës së Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së, ku është mbajtur procesverbali përkatës”, – citohet më tej njoftimi.

 

SHÇBA apelon mediet të kontaktojnë për të marrë informacion zyrtar për lajme që lidhen me shërbimin, për të shmangur dizinformimin e qëllimshëm të publikut.

 

SHÇBA fton qytetarët dhe mediet të denoncojnë çdo rast abuzimi, duke vënë në dispozicion numrin falas 0800 90 90./a.gjonaj/j.p/