Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka inspektuar ditën e sotme një patrullë shërbimi me radar për kontrollin e shpejtësive të mjeteve rrugore.

Ai e ka zhvilluar këtë inspektim së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së shteti, Ardi Veliun.

Nga Elbasani, ministri Lleshaj u shpreh se ky vit do të jetë viti i sigurisë rrugore, dukie pasur një fokus të madh në forcimin e parametrave të sigurisë. Lleshaj u shpreh se vetëm pë muajin janar janë rreth 1500 leje drejtimi të pezulluara, shifër kjo që është tepër e lartë.

“Viti 2020 është shpallur viti i sigurisë rrugore me qëllim që të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të gjitha strukturat e tjera shtetërore, dhe jo, të angazhohen në një fushatë të madhe për forcimin e parametrave të sigurisë rrugore. Kemi ardhur sot këtu bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për të parë konkretisht se si funksionon një pikë kontrolli këtu në këtë zonë, e cila përfaqëson një zonë me risk të lartë. Fatkeqësisht konstatojmë se ende numri i shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor është shumë i lartë. Vetëm për këtë muaj, që ende nuk është mbyllur, janë rreth 1.500 leje drejtimi të pezulluara, që është një shifër jashtëzakonisht e lartë, e cila na shqetëson për faktin se konstatojmë nivel papërgjegjshmërie të madh në rrugët e vendit nga një pjesë e konsiderueshme drejtuesish.” – u shpreh Lleshaj.

Po ashtu, Leshaj shtoi se do të ketë ndërhyrje edhe në legjislacion, në kodin Rrugor me qëllim ashpërsimin e masave ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

“Megjithatë, përpjekja jonë për ta intensifikuar kontrollin do të vazhdojë, ashtu sikundër do të vazhdojë edhe përpjekja për të rishikuar të gjithë kuadrin ligjor dhe nënligjor, me qëllim që siguria rrugore në vitin 2020, të njohë një kapërcim pozitiv përpara. Do të ndërhyjmë në legjislacion, në Kodin Rrugor duke ashpërsuar masat ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit, kryesisht atyre që abuzojnë më celularin, atyre që abuzojnë me pijet alkoolike, atyre që abuzojnë me të drejtën e përparësisë në rrugë dhe atyre që nuk kujdesen për fëmijët.” – shtoi ministri Lleshaj.

Ndërkohë, duhet përmendur fakti se viti 2019 u mbyll me një bilanc tragjik në lidhje me numrin e personave që humbën jetën në aksidente rrugore, numër i cili arriti shifrën e 227 personave.