Në kuadër të ciklit kombëtar “Bashkia që Duam” kryeministri Edi Rama u ndal në qytetin e Elbasanit ku u prit nga mijëra qytetarë në sheshin “Aqif Pasha”. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Z. Qazim Sejdini, Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, prefekti Gledian Llatja dhe deputetë, Rama premtoi më shumë zhvillim dhe mbështetje për Elbasanin.

Kryeministri Rama falenderoi Kryebashkiakun Sejdini, që në nisje të fjalës së tij, duke theksuar se Elbasani nuk do të ishte ky që është sot pa Qazim Sejdinin.
“Qazim Sejdini mbyll me nder shërbimin e tij ndaj qytetarëve të Elbasanit, ndërkohë ne do ta vazhvojmë misionin e tij, për t’i dhënë Elbasanit shumë më tepër se në këto 5 vite”, tha Rama.
Kryeministri përmendi zhvillimet që kanë pësuar qytetet shqiptare dhe duke u ndalur në Elbasan nënvizoi investimin për impiantin e mbetjeve urbane dhe projektin i cili është në vijim për 24 orë ujë të pijshëm.
Një nga qytetet ku PS do të fitojë bindshëm zgjedhjet e 30 Qershorit, tha Rama, është pikërisht Elbasani. Po ashtu kryeministri dëgjoi edhe mendimet e qytetarëve në lidhje me përmirësimin e shërbimeve përmes portalit “Shqipëria që Duam”.