Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me komisionerin e ri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, i cili ndodhet në Shqipëri për t’u njohur nga afër me situatën e dëme të shkaktuara nga tërmeti.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e veçantë për solidaritetin e marrë në këtë moment vërtetë të vështirë për vendin.

“Faleminderit shumë, jemi vërtetë në një situatë shumë të vështirë, por ndërkohë dua t’ju them që ne në fakt kemi përjetuar këtë solidaritet të madh nga vende të ndryshme. Natyrisht kemi pasur edhe ambasadorin e BE-së që ka ardhur që në momentet e para dhe na ka ndihmuar vërtetë shumë, sepse ndoshta pjesa më e vështirë është pjesa e vetmisë”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi faktin se në përballjen me këtë sfidë të madhe, të kesh miq dhe të kesh njerëz të cilët të ndihmojnë dhe të qëndrojnë në krah, për ne është një gjë vërtetë e fantastike dhe e mrekullueshme.

“Faktin që kemi pasur këtu menjëherë ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme njerëzit nuk kanë për ta harruar kurrë. Nuk kanë për ta harruar angazhimin, vullnetin fantastik që kanë treguar njerëzit duke vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar të tjerët. Kemi pasur dhe reagimin e përgjithshëm nga BE dhe udhëheqës të ndryshëm të BE-së. KE ka akorduar ndihmën prej 15 milionë euro që do të jepet në formën e fondeve IPA”, tha Rama.

Kryeministri foli për programin e rindërtimit, duke theksuar se “do të ishte mendjelehtësi nëse nuk do ta shohim rindërtimin paralel me përmirësimin e kapaciteteve të parandalimit të fatkeqësive”. “Ne nuk mund të parandalojmë tërmetet, pro mund të marrim të gjitha masat e nevojshme në ndërtime”, tha Rama.

Kryeministri u ndal te bashkëpunimi rajonal, për të cilin ai tha se “vizioni ynë është të kalojmë përmes një procesi që do të krijojë një zonë të Ballkanit Perëndimor që do të ketë të njëjtin regjim si BE në qarkullimin e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”.

Kjo sipas Ramës, parashikon edhe një program të integruar dhe përpjekje e kapacitete të integruara për përballimin e fatkeqësive natyrore. “Në këtë mënyrë ekipet që do të merren me fatkeqësitë natyrore në vendet tona do të vepronin si një infrastrukturë e vetme, e cila funksionon kur ndodhin gjëra të tilla. Kështu do të ketë burime më të forta në rast se ne krijojmë një mekanizëm që sapo të ndodh diçka në secilën nga këto vende ne të shkojmë për të dhënë ndihmesën”, tha Rama.

Rama vlerësoi po ashtu ndihmën e menjëhershme me të cilën iu përgjigj BE Shqipërisë.

I pyetur nga Lenarčič mbi nevojat më imediate në këtë situatë, Kryeministri Rama u shpreh se duam një tranzicion pa probleme për zonat që nuk kanë çati mbi kokë.

Sipas tij, “ndërtimi kërkon kohë dhe nuk bëhet për pak javë”. “Do të duhet nga 12 në 18 muaj kohë për ndërtimet e para. Kemi dy kategori njerëzish në nevojë, ata që jetojnë në zonat urabne dhe ata që jetojnë në zonat rurale. Për zonat urbane zgjidhja jonë e menjëhershme ishte strehimi në hotele, përmes marrëveshjeve që bëri qeveria për t’i paguar në bazë kostosh hotelet. Në këtë moment kemi mijëra persona në hotele, por kjo nuk mund të zgjas pafundësisht. Qëllimi ynë është të qëndrojnë aty edhe për festat e fundvitit dhe në janar t’i lëvizim nga hotelet në apartamente që do të merren me qera nga shteti”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri informoi se banorët në zonat rurale e kanë jetën të lidhur me tokën dhe bagëtitë ndaj dhe për ta nevojiten çadra dimri, që të mos ndiejnë të ftohtin e lagështirën.

Lidhur me programin e rindërtimit, Kryeministri Rama theksoi se është shumë e rëndësishme të kemi një fond të integruar. “Kam lexuar shumë se si ka ecur situata në vende të tjera me problematikë të ngjashme. Unë e di që ka organizata dhe shtete që thonë do të vij por dua të ndërtoj kaq banesa, por një gjë e tillë krijon konfuzion, ngatërresa dhe standarde të ndryshme”, tha Rama.

Kryeministri theksoi domosdoshmërinë që kjo të bëhet sipas standardeve të caktuara dhe për këtë ka përgjegjësi shteti, ndaj dhe nuk mund të lëmë çdo lloj organizate ta bëjë si e sheh të arsyeshme.

Kryeministri Rama informoi se në buxhet qeveria ka vendosur një pjesë të rëndësishme për rindërtimin. “E kemi menduar sikur të mos kishim asnjë ndihmë. Natyrisht që nuk do të zgjidhet gjithçka, por do të fillojë të zgjidhet diçka. Ne nuk duam të shkaktojmë ndonjë ndërprerje në kuadrin tonë makroekonomik apo ndonjë deficit buxhetor jashtë kontrollit. Nuk duam të ndërpresim shërbimet bazë, pasi përveç kësaj na duhet të shkojmë në tregje të kapitalit për eurobond dhe ato janë tregje financiare që duan të shikojnë shifrat se pse do të japin para”, tha Rama.

Kryeministri e informoi Lenarčič mbi planet e qeverisë për të ndërtuar një lagje të re në Durrës dhe 3 lagje të reja në Tiranë, ndërsa shtoi se banesat që nuk kanë dëmtime strukturore do të riparohen.

Duke folur për dëmet nga tërmeti në infrastrukturën publike, Kryeministri theksoi se “nuk kemi dëme të mëdha në ura, në infrastrukturën publike rrugore, të energjisë elektrike, furnizimit me ujë”. “Kemi dëme në disa shkolla ku ca prej tyre duhen shembur, kemi 21 institucione shëndetësore të dëmtuara”, tha ai.

 

/atsh