Bujtina e Naum Bicit në Lin të Pogradecit është një tjetër shembull suksesi se si shtëpitë po kthehen në bujtina në kuadër të mbështetjes financiare që ofron qeveria.

Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Lin të Pogradecit, një fshat që po kthehet në qendër tërheqëse për turizmin falë edhe Programit “100 fshatrat”, konkretisht në bujtinën e Naum Bicit, ku tashmë turistët e huaj dhe jo vetëm zgjedhin të prenotojnë direkt nga interneti.

Në një bashkëbisedim edhe me banorë të zonës, Kreu i Ekzekutivit foli për mundësinë e shërbimeve që duhet të ofrojnë fshatrat turistikë për të krijuar më shumë mundësi zhvillimi dhe të ardhura duke tërhequr këtu edhe më shumë turistë.

“Me Linin kemi filluar prej disa kohësh, por është dashur të bëhet një vlerësim i përgjithshëm i zonës, i gjendjes aktuale, i potencialeve dhe pastaj të identifikohen ndërhyrjet dhe në të njëjtën kohë, të identifikohen edhe bashkëpunëtorët e mundshëm që mund të kombinojnë forcat dhe të arrijmë rezultatet. Mbase shumëkush mund të pyesë se si ka mundësi që vijnë gjithë këta njerëz këtu për një bujtinë, por arsyeja që e bëjmë është që të promovojmë këtë model, që të tregojmë jo me fjalë dhe me idera në distancë, por me shembuj konkretë se si mund të funksionojë për një familje krejt të zakonshme bashkëpunimi me qeverinë dhe se si mund të arrihet së bashku në realizimin e diçkaje që përndryshe do të ishte shumë e vështirë në mos e pamundur për një familje me një buxhet modest që mund të disponojë një shtëpi ku transformimi në një bujtinë apo agroturizëm është i mundshëm po ku sigurisht mungojnë mjetet financiare”, – u shpreh Rama.

Duke folur për këtë program me impakt në turizëm dhe ekonomitë familjare, Rama tha se “ajo që qeveria bën është që i vjen në mbështetje kësaj familje duke i dhënë para jo borxh, por grant, dhuratë, një dhuratë me kushte, dhe kushte janë që të realizohet ky projekt me këto parametra dhe të shkohet në këtë drejtim, jo kushte të natyrës financiare, por kushte për shpenzimin e fondeve në mënyrën e duhur”.

Ai tha se “pasi kemi iniciuar këtë program të mbështetjes së bujtinave dhe agroturizmit me fondet e qeverisë shqiptare, kemi në dispozicion si qeveri edhe një fond të konsiderueshëm edhe nga BE pikërisht për bujtinat dhe agroturizmin”.

“I nxis të gjithë, që duke marrë shembull konkretisht nga këto raste të para suksesi në këtë drejtim që të bëjnë përpjekjet e tyre dhe aplikimet e tyre. Një aset kapital i fjetur, siç është shtëpia, kur ajo përdoret jo vetëm për strehim, kthehet në një mekanizëm fitimprurës”, – deklaroi Rama.

“Nëse sot këtu ka disa nga këto bujtina dhe ka një numër turistësh që vijnë dhe këto bujtina janë të rezervuara, siç është rasti i kësaj bujtine që rezervohet direkt nga interneti, nëse ky zinxhir shtrihet në gjithë fshatin dhe nëse ky fshat kthehet në një resort turistik, ku secili është pronar i shtëpisë së vet dhe merr pjesën e tij të fitimit, të jeni të sigurt që jo vetëm do të ketë kërkesë shumë më të lartë, por do fillojnë të rriten çmimet ekzistuese që nuk janë të ulëta për hir të së vërtetës”, – tha Kryeministri Rama. /a.g/