Qeveria shqiptare vijon mbështetjen e fermerëve dhe fuqizimin e tyre nëpërmjet programit për zhvillim rural, duke krijuar bazat e një bujqësie moderne dhe konkurruese, që do të plotësojë jo vetëm nevojat e tregut vendas me produkte të një standardi dhe cilësie të njëjtë me atë të konsumatorëve europianë, por do të kontribuojë edhe në rritjen eksporteve në tregjet rajonale dhe europiane.

Një nga subjektet që ka përfituar nga Fondi i Programit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është edhe “Arna shpk”, e cila, nga një biznes familjar i ngritur afro 20 vite më parë në sektorin e mbarështimit dhe prodhimit të mishit të shpendëve, sot ka rritur kapacitetin prodhues në 30-40 mijë zogj përmes investimeve cilësore dhe modernizimit të teknologjisë që ka ndikuar në standardizimin e proceseve të automatizuara të punës, si dhe në cilësinë e lartë të prodhimit.

Kryeministri Rama ka vizituar ambientet e këtij stabilimenti në Boboshticë, që me ndërtimin e dy inkubatorëve të rinj përmes financimit nga AZHBR, pritet të dyfishojë edhe numrin e të punësuarve, si të përhershëm, edhe ata sezonalë.

“Ky si regjiment, de facto, duke qenë sadopak modest është nga më të mirët në rajon, nga pjesa e ventilimit, nga pjesa e linjave të ushqimit dhe sa i përket ngrohjes është i vetmi regjiment që e ka zero çlirimin e dioksidit të karbonit, diçka që BE mbase e kërkon pas 10 vitesh”, shprehet investitori, i cili falënderon Qeverinë dhe në veçanti AZHBR-në për mbështetjen me investime.

“Me këtë lloj investimi ne sigurojmë që konsumatorët shqiptarë të kenë mundësi të hanë produktin e pulës në standarde, siç i ha konsumatori europian, maksimale”, – shprehet drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca.  ​/e.xh/r.e/