Kryeministri Rama ishte i pranishëm në kompleksin turistik “Rafaelo” në Lezhë ku pa gjendjen e të strehuarve që humbën shtëpitë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kryeministri u takua me banorët teksa u bëri thirrje të mos kenë frikë. Tashmë, qytetarët e strehuar aty dhe në gjithë hotelet e tjera që kanë hapur dyert në mbarë vendin në shenjë solidarizimi, kanë mundësi të kalojnë netët me ushqime, me veshje të pastra e në ambiente të ngrohta e të denja.

Ndërkohë Rama i tha banorëve se “kush ka nevojë për ilaçe, duhet të regjistrojë emrin dhe ne do sjellim mjekun t’ju shohë. Ilaçin do t’jua sjellim ne, ju nuk do e fusni dorën në xhep për asgjë”.

Pronari i hotelit gjatë vizitës së Kryeministrit, tha se qytetarët do të trajtohen njësoj si të jenë familja e tij.

Rama shtoi gjithashtu se “do bëjmë dhe një listë të fëmijëve që ku i kanë shkollat, që t’i çojmë në shkollë, do sjellim dhe mësues këtu që të mësojnë pasdite”.

Atsh