Kryeministri Edi Rama ishte sot në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku takoi banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti.

Kryeministri pa një pallat i cili po inspektohet nga ekspertët francezë, të cilët do të certifikojnë në fund edhe gjendjen e tij.

Në një informacion paraprak, Kryeministri u informua se pallati nuk ka dëmtime në strukturë, por dëmtimet janë në muraturë.

“Në Japoni bien në tokë pallatet. Për këtë tërmet që ishte shumë i rëndë, strukturat në përgjithësi kanë mbajtur, por duhet të marrin vulën e shqiptarëve dhe të standardit të BE-së të rrezikshmërisë dhe sigurisë”, tha Rama.

Kryeministri siguroi banorët se ndërtuesit ose do t’i rregullojnë sipas standardeve që përcaktohen, që edhe muret mos të jenë më problematike, ose do të shkojnë në burg. “Nëse kanë ikur ndërtuesit dhe nuk përgjigjen, do ta rregullojmë ne”, tha Rama.

“Nuk ka asnjë shans të paguajnë taksapaguesit që të rregullohet. Fjalën e fundit e thonë ekspertët. Më parë duhet marrë vula e ekspertëve, ndaj kam kërkuar të vijnë këtu nga të 4 anët e botës, nga Zvicra, Turqia, Gjermania, që të bëhet më shpejt se na duhen forca dhe të jenë me dy vula, që të jemi të sigurt”, tha Rama.

Kryeministri u shpjegoi banorëve se një pallat nuk vlerësohet nga çfarë sheh nga jashtë,  pasi është e rëndësishme dhe qëndrueshmërinë e vendos struktura që është skeleti.

“Ra gjithë ky tërmet dhe pallati është në këmbë, po të ishte problematike do të ishte këput”, tha Rama.

Kryeministri tërhoqi vëmendjen edhe për lajmet e rreme që shpërndahen në medie dhe panikun  që përhapin te qytetarët.

Rama solli si shembull rastin e një pallati i cili dukej problematik, por në fakt ishte i sigurt dhe mund të rindërtohej.

Kryeministri u njoh me rastin e një tjetër banori, të cilit tha se i kishte vdekur babai që e kishte paraplegjik, pasi e kishte zhvendosur nga spitali i Durrësit drejt Beratit, pas lajmit në disa medie se spitali i Durrësit rrezikonte shembjen. “Babai nuk e përballoi dot transportin”, tha ai.

Rama kërkoi durim nga banorët, pasi sipas tij, “janë 10 mijë të dëmtuar nga tërmeti, më shumë se ushtria shqiptare”.

Ndërkohë ekspertët francezë thanë se “kemi  punuar gjithë ditën sot dhe objektivi për ne është që të shikojmë sa më shumë ndërtime dhe t’i ndajmë në të banueshme dhe të pabanueshme dhe nëse ka rrezikshmëri për konstruksionin”. /j.p/