Rama: Të shfrytëzohet çdo mundësi për të dalë nga varfëria përmes punës
Rama: Të shfrytëzohet çdo mundësi për të dalë nga varfëria përmes punës

Punësim në vend të ndihmës ekonomike është objektivi i qartë i qeverisë për të ndihmuar të gjitha familjet në nevojë, përmes bashkëpunimit të biznesit me Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

Një shembull i mirë për këtë është fabrika e këpucëve “Euroasia Footwear” në Kamzë, e cila në një vit të aktivitetit të saj në Shqipëri ka punësuar nëpërmjet bashkëpunimit me zyrën e punës rreth 1 mijë punëtorë, një pjesë e mirë e të cilëve persona që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë fabrikë, e cila prodhon për brande të njohura në tregjet europiane, kryesisht në Spanjë, Gjermani, Britaninë e Madhe.

“Deri tani jemi pothuajse 1 000 punëtorë. Kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me zyrën e punës. Deri në fund të qershorit do na duhet të shtojmë edhe 250 punëtorë më shumë, duke qenë se ne kemi dhe një fabrikë tjetër në Valias dhe totalisht kemi 1 mijë punëtorë”, shprehet përfaqësuesja e kompanisë.

Kryeministri Rama u shpreh se ndihma ekonomike nuk duhet parë më si një status i përhershëm, por duhet shfrytëzuar çdo mundësi për të dalë nga varfëria përmes punës.

“Ligji është shumë i qartë: në qoftë se ti ke një ofertë për punë edhe ti e refuzon, herën e dytë del nga skema e ndihmës ekonomike! Kjo është e qartë, sepse është e pamundur që të vazhdojë të jepet ndihmë ekonomike për dikë që është fizikisht i aftë për punë dhe që e refuzon punën, ndërkohë që ndihma ekonomike është për më të varfrit dhe për sa kohë janë në pamundësi për tu integruar, nuk është një status i përjetshëm varfërie e mjerimi që e paralizon komplet familjen dhe i heq çdo perspektivë prindërve dhe kryetarëve të familjes,” u shpreh Kryeministri Rama.

“Të gjitha listat e ofruara nga zyra e punës, normalisht, merren të gjithë, intervistohen dhe kur vijnë këtu për të filluar punë, nuk pranojnë të hyjnë punë. ‘Nuk punojmë dot’, ‘Jam e sëmurë, nuk mundem’, ‘Dua të marr atë ndihmën ekonomike’” u shpreh përfaqësuesja e kompanisë.

Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria ka ndërmarrë edhe një nismë të re sa i përket trajnimit kundrejt pagesës të të gjithë personave që pranojnë të punësohen me ndërmjetësimin e zyrave të punës.

“Ne kemi dhe këtë skemën tani që japim pagesë për trajnimet. Pra, kushdo që është i gatshëm që të trajnohet, atëherë ne japim 55 mijë lekë të vjetra në muaj mbështetje për trajnimin dhe nuk bëhet nëpërmjet kompanisë. Është një masë e re që e kemi vënë, që është faktikisht sa mesatarja e ndihmës ekonomike”, u shpreh Kryeministri.

Kjo histori, shtoi kryeministri Rama, “nuk mund të vazhdojë pafund”. “Duhet ndarë kush është i aftë fizikisht për punë dhe kujt i ofrohet puna duhet të pranojë punën. Përndryshe, si do ta paguajnë të tjerët me kontribute nga taksat, që të rrijë në shtëpi, i mpirë atje edhe që pak nga pak të bëhet psikologjikisht i paaftë për të marrë përsipër punën”, tha ai./ATSH