Reduktimi i klasave kolektive, shembulli vjen nga shkolla në Daias
Reduktimi i klasave kolektive, shembulli vjen nga shkolla në Daias

-Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini garantoi sot reduktimin e klasave kolektive në shkolla, duke sjellë në vëmendje mënyrën sesi është vepruar me një shkollë në Daias, në Tiranë.

Nxënësit të cilët i përkasin shkollës 9 vjeçare në Gurrë të Madhe me urdhër të ministrisë janë transferuar në shkollën e fshatit Daias, me qëllim reduktimin e klasave kolektive.

“Shkolla 9-vjeçare në Daias është shembulli më i mirë i suksesit të politikës sonë për klasat kolektive. Aty sot mësojnë 43 nxënës nga shkolla vartëse ku mësimi bëhej në klasa ku nxënësit nga 6 deri 15 vjeç mësonin bashkë”, u shpreh Shahini.

Ministrja tregoi se në fillim prindërit ishin skeptikë ndërsa tani janë të lumtur që fëmijët e tyre mësojnë në klasa me bashkëmoshatarët e vet.

“Prindërit fillimisht ishin skeptikë por sot janë të lumtur që fëmijët e tyre mësojnë në klasa me bashkëmoshatarët e vet duke marrë mësim shumë më cilësor. Kjo shkollë model na frymëzon të vazhdojmë me reduktimin e klasave kolektive edhe në fshatra të tjerë”, bën të ditur ministrja.

/atsh