Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike sot procesi mësimor në qytetin e Pogradecit dhe njësitë administrative të tij është pezulluar.

Bashkia e Pogradecit bën të ditur se “mësimi në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në qytet, si edhe në Njësitë Administrative është pezulluar”.

Po ashtu të gjitha kopshtet në Njësitë Administrative do jenë të mbyllura.

Ndërkohë që situata në qytet dhe në “Njësitë Administrative” pas reshjeve të dendura të dëborës është krejtësisht normale në akset e rrugëve falë gatishmërisë të punëtorëve të bashkisë.

“Ndërmarrja e Infrastrukturave Rurale” u kujdes për kriposjen dhe pastrimin nga dëbora në të gjitha rrugët e Njësive Administrative, në fshatrat Starovë, Vërdovë, Rrëmenj, Gështenjas, Gurras, Mëmëlisht, dhe Hudënisht.

Bashkia është në gatishmëri gjatë gjithë kohës, në mënyrë që situata të vijojë sa më normalisht./k.s/ /a.g/atsh