Rifillojnë bisedimet e paqes për Sirinë
Rifillojnë bisedimet e paqes për Sirinë

– Në kryeqytetin kazak, Astana filloi raundi i nëntë i negociatave për zgjidhjen e krizës në Siri, me pjesëmarrjen e shefave të diplomacisë ruse, turke dhe iraniane.

Ministri i Jashtëm kazak, Kayrat Abdrahmanov në fillim të takimit rikujtoi se tetë raundet e para të bisedimeve kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në vendosjen e armëpushimit në Siri.

Ai gjithashtu tha se bisedimet në Astana kanë kontribuar edhe në negociatat e Gjenevës dhe paralajmëroi për rritjen e tensioneve në disa pjesë të Sirisë. Ai i kërkoi Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të nisur një dialog konstruktiv për këtë çështje.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjithashtu vlerësoi kontributin e madh të negociatave në Astana, sa i përket zgjidhjes së krizës në Siri.

Lavrov, ndër të tjera, theksoi se ”procesi në Astana si objektiv themelor ka mbrojtjen e integritetit territorial të Sirisë”, dhe se ”do të vazhdojmë të veprojmë në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimeve të miratuara në Kongresin e dialogut kombëtar në Soçi”.

Pas fjalimit të Lavrovit, takimi mes tij, ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu dhe ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Javad Zarif, vazhdoi me dyer të mbyllura.

Gjatë takimit është planifikuar të shqyrtohen rezultatet e bashkëpunimit njëvjeçar dhe të përcaktohen hapat e ardhshëm në zgjidhjen e krizës siriane.

Takimi në Astana është një parapërgatitje për samitin e liderëve mbi zhvillimet në Siri, i cili do të zhvillohet më 4 prill në Stamboll./ ATSH