Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, Taulant Balla së bashku me deputetin Musa Ulqini dhe kryetarin e Bashkisë së Belshit, Arif Tafani inspektuan punimet për rikonstruksionin e shkollës 9 vjeçare në fshatin Seferan.

Në fjalën e tij Balla tha se investimi i Qeverisë Shqiptare me vlerë 15 milionë lekë do t’u shërbejë 150 nxënësv të kësaj shkolle dhe fëmijëve të kopshtit.

“Seferani është një prej 100 fshatrave të krijimit të modelit për të gjithë fshatrat e tjerë në të gjithë Shqipërinë. Dhe kur flasim për model, nuk bëhet fjalë vetëm për infrastrukturë, por të gjithë njësitë e shërbimit që duhet të plotësojë një zonë, dhe shkolla është një prej tyre.

Shkolla e Seferanit është një nga shkollat më me traditë në Bashkinë e Belshit. Ishte një shkollë e cila pothuajse kishte dalë jashtë çdo standardi dhe pas diskutimeve me Ministrinë e Arsimit u vendos që kjo shkollë të financohej.

Bëhet fjalë për një rikonstruksion të plotë me sistem kapot, me të gjitha mjediset e tjera të shkollës, përfshirë këtu edhe mjediset sportive.”, deklaroi Balla.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani në fjalën e tij theksoi se rikonstruksioni i kësaj shkolle tashmë ishte i domosdoshëm.

“Është në përfundim e sipër projkti i rikonstruksionit të kësaj shkolle. Rikonstruksioni i saj ishte domosdoshmëri dhe do t’u shërbejë 150 nxënësve dhe dy grupeve të arsimit parashkollor.”, tha Tafani.

Përmes një projekti shtesë me Komisionin Europian do të garantohet që në këtë shkollë energjia elektrike të jetë e rinovueshme përmes paneleve diellore, po ashtu në këtë projekt do të përfshihet rrethimi i godinës dhe të gjitha nevojat e tjera të saj.

Ministria e Arsimit ka garantuar të gjithë bazën materiale e cila do të jetë gati menjëherë pas përfundimit të rikonstruksionit.