Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi para mbledhjes së liderëve të Këshillit Europian në Bruksel se në Janar do të organizojë Konferencën e Donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin pas tërmetit tragjik në 26 Nëntor.

“Do të flasim për çfarë ndodhi në Shqipëri. Me këtë rast duhet ti shpreh një mesazh të madh solidariteti popullit shqiptar. Uroj qe ne politikanët të marrin përgjegjësitë tona duke organizuar në dhjetor ose janar një konferencë donatorësh” tha ai.

Konferenca do të zhvillohet në janar, pasi në datë 16 të muajit të parë të Vitit të Ri pritet që të dalë edhe fatura përfundimtare e shkatërrimeve që la pas tërmeti. Qeveria së bashku me aleatët është duke përgatitur faturën për të shkuar më pas në konferencë për të kërkuar ndihmë për rindërtimin.
Qeveria do të ndërtojë lagje të reja në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët e prekur nga tërmeti, së bashku me infrastrukturën shoqëruese, shkolla, kopshte, qendra shëndetësore, infrastrukturë tokësore dhe nën-tokësore.