TIRANË, 16 janar/ATSH/ Qytetarët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë deri në datën 30 shtator 2020 të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3%, nga 15% që aplikohej më parë.

Objekt i këtij ligji është edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces regjistrimi, duke përfshirë edhe pasuritë e legalizuara.

Ky rivlerësim, sipas ligjit, mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë
aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit.

Zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi, e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimet minimale fiskale, dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.

Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ky fakt shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit të tij për rivlerësim.

Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.

Edhe personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive.

Personat juridikë, për këtë rivlerësim, paguajnë 5% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme.