Te Bayern Munchen bëhet ajo që nuk bëhet te asnjë klub tjetër i Europës; lajmërohen blerje dhe largime para kohe.

Kjo strategji ka vazhduar me zyrtarizimin e lamtumirës së Arjen Robben në fund të sezonit dhe me blerjen e Benjamin Pavard, i cili do të luajë në “Allianz Stadium” nga qershori i ardhshëm.

Për holandezin mund të jetë një problem, sepse tifozët mund ta kritikojnë me lehtësi në gabimin e parë që mund të bëjë në muajt e ardhshëm, duke parë se e ardhmja e tij është larg Bayernit.

Por holandezi nuk po bën asgjë për t’i bërë për vete ata në pritje të 1/8-ve të Champions League.

Shorti i Nyon nuk ka qenë aspak i mirë për ekipin e Niko Kovac, që do të përballet me Liverpoolin në raundin e parë të fazës me eliminim direkt.

Dhe Robben nuk është munduar aspak të ngrejë moralin e tifozëve, duke thënë se: “Liverpool po ecën shumë mirë, si vitin e kaluar kur ka dalë në finale. E shikoj favorit edhe këtë vit në Champions”.

Sulmuesi ka shtuar se: “Ka qenë shorti më i keq i mundshëm për ne, por do të jetë një sfidë e madhe. Duhet të mendojmë për veten tonë, të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi. Nëse do të jemi në një ditë të mirë, jam i bindur se do t’i vëmë në vështirësi”.

Robben ka folur edhe për holandezin e “Të Kuqve”, Virgil van Dijk: “Është përmirësuar shumë. Është një lojtar kyç në një klub të madh dhe është kapiteni i Holandës. Meriton të gjitha komplimentet që po merr”.SN