Sipas të dhënave të INSTAT, importi i produkteve farmaceutike shënoi rritje gjatë viteve 2017-2018 .Si pasojë e zgjerimit të volumeve të importit është rritur edhe vlera e blerjes së produkteve farmaceutikë me rreth 16 për qind.

Duke pasur parasysh një vlerë të shtuar prej 5% nga importi në depot e shumicës dhe më pas 24% tek farmacitë, rezulton se shqiptarët kanë shpenzuar për t’u kuruar me barna rreth 32 miliardë lekë në vitin 2017, apo mbi 230 milionë euro.

Farmacistët dhe mjekët pohojnë se rritja e konsumit të ilaçeve po vjen për disa shkaqe që lidhen me ndryshimin e strukturës së popullsisë si, rritja e numrit të moshuarve përkundrejt popullsisë më të re në moshë, rezistenca e shtuar ndaj medikamenteve dhe zgjerimi i sëmundshmërive.

Si rrjedhojë ka ardhur gjithnjë e në rritje nevoja për të siguruar informacione mbi përdorimin e barnave jo vetëm nëpërmjet kanaleve tregtare të kompanive farmaceutike, por përmes studimeve të posaçme.

Një rritje e ndërgjegjësimit mbi efektet anësore të barnave vërehet edhe tek vetë përdoruesit.

Qytetarët e Elbasani të pyetur nga Tv Skampa pohojnë se nuk përdorim medikamente pa u konsultuar më parë me mjekun.Përjashtim bëjne vetëm ilaçet të cilat janë në listën e barnave të cilat mund të merren pa recetë mjeksore.

Të dhënat mbi përdorimin e barnave janë gjithashtu shumë të rëndësishme për të vlerësuar efektivitetin..Kjo edhe si pasojë e zhvillimit të sistemeve kombëtare të sigurimeve dhe kujdesit shëndetësor.Veç konsultës me mjekun e familjes apo mjekun specialist përpara përdorimit të çdo medikamenti duhet lexuar fleta udhëzuese.

Edisona SKENDERI