Rritet punësimi në Shqipëri, udhëheqin industria dhe shërbimet
Rritet punësimi në Shqipëri, udhëheqin industria dhe shërbimet

Punësimi u rrit me 4.3% gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, në Shqipëri krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 0.9% krahasuar me tremujorin paraardhës.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot Anketën e Forcave të Punës për tremujorin e 4-t të vitit 2017.

Në terma vjetorë, rritja e punësimit i atribuohet sektorëve kryesorë të ekonomisë si ai i shërbimeve ku punësimi u rrit me 8.4%, pasuar nga ai i industrisë që shënoi rritje të punësimit me 7.3%.

Në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 1.5%.

Në tremujorin e katërt 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 13.4%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0.8%. Krahasuar me tremujorin e tretë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë pësoi një rënie prej 0.2%”, thuhet në raportin e INSTAT-it.

Krahas rënies së papunësisë, sipas INSTAT u rrit edhe shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç. Gjatë kësaj periudhe shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për këtë grupmoshë është 67.4%.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1.7% më e lartë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues është rritur me 0.3%.