Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler deklaroi sot se “politikanët shqiptarë duhet të ndalojnë retorikën e dhunës dhe urrejtjes, dhe duhet të dialogojë për të kapërcyer krizën”.

Nga Patosi, Ambasadori austriak iu bashkua apelit të përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë për politikën shqiptare, ndërsa theksoi se “përfaqësuesit ndërkombëtar janë këtu për të ndihmuar, por përgjegjësia është mbi aktorët politikë në vend”.

“Qytetarët kanë gjithmonë të drejtë për të protestuar, dhuna është diçka që ne e dënojmë absolutisht. Ka ardhur koha që partitë t’i zgjasin dorën njëra-tjetrës, pas pesë protestave tani është koha për dialog politik. Këtë presin edhe shqiptarët, që të funksionojë dialogu”, tha ai.

Sattler iu referua deklaratës të Kishës Katolike në Shqipëri dhe inkurajoi politikanët që ta shikojnë me detaje këtë deklaratë.

“Të ndalojnë retorikën e dhunës dhe urrejtjes, urrejtja sjell vetëm urrejtje. Retorika duhet të ndryshojë. Ashtu sikurse edhe përfaqësuesit ndërkombëtar janë këtu për të ndihmuar, por përgjegjësia është mbi aktorët politikë në vend”, deklaroi ai nga Patosi./m.m/atsh