– Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në samitin vjetor të vendeve të rajonit të mbajtur në Becic të Malit të Zi, bashkë me guvernatorë e përfaqësues të lartë të bankave qendrore, ministra financash dhe drejtorë tatimesh nga vendet e rajonit, si Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria.

Në samitin e këtij viti me temë “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon në një mjedis me rritje të ngadalësuar në eurozonë”, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e rajonit.

Në fjalën e tij, Sejko, diskutoi rreth temës “Politika monetare dhe stabiliteti i sistemit bankar në kushtet e normave të ulëta të inflacionit dhe të interesave”. Ai theksoi rëndësinë e harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, si parakusht i nevojshëm për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe rritjen e efektivitetit të këtyre politikave.

Në këtë kontekst, Guvernatori nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të këtyre politikave në përmbushjen e objektivave individualë: ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Një tjetër temë e trajtuar nga Guvernatori në këtë samit ishte procesi i digjitalizimit, si një proces mjaft i rëndësishëm për sektorin bankar, ku Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e saj në këtë proces./atsh

e.xh/