BESARTA BASHA/ Senati Akademik i universitetit të Tiranës kundërshton monitorimin e grupit të punës së Ministrisë së Arsimit. Në një vendim të posaçëm, ka vendosur të rikonfirmojë kuotat e miratuara për dy fakultetet problematike të evidentuara nga Ministria, duke këmbëngulur që i plotësojnë kushtet.

Sa i takon Fakultetit të Drejtësisë, Senati pretendon se numri i pedagogëve me kohë të plotë është më i madh se ai i deklaruar në raport, ndërsa për Gjuhët e Huaja mund të shfrytëzojnë hapësirat e tjera të Universitetit të Tiranës për të përmbushur standardin e kërkuar student/m2.

REAGIMI “Bazuar në ligjin nr. 80/ 2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, nenet 3, 25, 37 dhe 38; në statutin e Universitetit të Tiranës, neni 31, në vendimet e Senatit Akademik të UT-së, nr. 17 dhe 18, datë 6.5.2019, Senati Akademik në mbledhjen e datës 18.7.2019, pasi mori në shqyrtim projekt-raportin mbi verifikimin e kapaciteteve pritëse për pranimet në programet e studimit sipas kuotave të deklaruara nga UT për vitin akademik 2019-2020, e përcjellë në shkresën nr. 4815/5, datë 3.7.2019 të MASR, vendosi të rikonfirmojë kuotat e miratuara për Fakultetin e Drejtësisë dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja me vendimet e Senatit Akademik nr. 17, datë 6.5.2019 “Mbi miratimin e kuotave të pranimit në programet e studimeve të ciklit të parë bachelor dhe në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë, për vitin akademik 2019-2020 dhe nr. 18, datë 6.5.2019 “Mbi miratimin e kuotave të pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë, për vitin akademik 2019- 2020”, citohet në faqen e parë të vendimit sqarues, të marrë që në datën 18 korrik. Ndërsa në relacionin shpjegues nënvizohet se të dy fakultetet i plotësojnë kushtet për të pritur aq studentë sa kanë deklaruar që në krye të herës. Personeli akademik te Drejtësia është më i madh në numër nga ai i deklaruar, ndërsa Gjuhët e Huaja mund të shfrytëzojnë hapësirat e dedikuara për të, nga fondi i atyre që posedon Universiteti.

“Senati Akademik i UT-së, pasi analizoi dhe vlerësoi me shumë kujdes konkluzionet e grupit të punës nga MASR sqaron: 1. Fakulteti i Drejtësisë bazuar në vendimin nr. 7 të Senatit Akademik, datë 11.4.2019, ka në organikën e tij 98 personel akademik me kohë të plotë. 2. Në lidhje me hapësirat fizike, ju bëjmë me dije se Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, sipas nevojave që ai ka, i plotëson ato duke përdorur hapësirat fizike që janë në dispozicion të Universitetit të Tiranës”. Prej vitesh, në ciklin e parë të studimeve në Juridik janë pranuar diku te 600 studentë çdo vit. Ndërsa dy vitet e fundit, me kthimin e tij në program të integruar 5-vjeçar, numri i pranimeve është rritur në 750.

Sakaq, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka një dyndje të lartë në një numër të kufizuar profilesh, ndërsa në disa të tjera ka pak ose aspak interes. Kjo ka bërë që deri në fund të regjistrimeve, jo të gjitha kuotat realizohen, duke bërë që raporti faktik student për metër katror t’i përafrohet normës.