Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka folur për këngën që i këndoi Presidentit turk Erdogan. Në një tekst autorial për gazetën ‘Alo’ të shkruar për 100 ditëshin e qeverisë së re serbe ai ka thënë se i ka kënduar edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama apo edhe politikanëve të njohur të Europës.

Daçiç ka thënë se me këtë formë diplomacie Serbia po fiton dhe do të fitojë, pasi ajo e mëparshmja e ultimatumeve dhe e forcës, ka treguar se është dështim. “Po, kam kënduar dhe do të këndoj. I kam kënduar Merkel’it, Sergej Lavrovit, Ashtonit, Ramës, Erdoganit dhe Putinit. Do ti këndoj edhe Trump’it nëse ka nevojë, nuk më vjen turp. Diplomacia dhe fitoret diplomatike nganjëherë arrihen me këngë, me sharm, me shaka të mira dhe jo vetëm me ultimatume, reciprocitet dhe forcë. Serbia nuk është në pozitë të shtyhet me gjoks, e pamë se si kjo na ka sjellë dekada prapa”, ka thënë Daçiç.