Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Besa Shahini, theksoi sot se jo çdo lajm që prodhohet nga media është i saktë dhe rrjedhimisht konsiderohet i rremë.

E pranishme në konferencën ndërkombëtare “Fëmijët dhe Edukimi Mediatik: Përballë Sfidave të Reja” organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias (ISHM) dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) në kuadër të 20-vjetorit të krijimit të autoritetit rregullues, Shahini tha se “kjo është edhe një prej sfidave që përballet shoqëria jonë sot”.

Ministrja Shahini u ndal tek besueshmëria e institucionit të medias në Shqipëri, e cila është në nivelin e 54%, një shifër relativisht e kënaqshme e cila mund të edukojë të rinjtë me informacione të vlefshme.

Ministrja Shahini, nënvizoi gjithashtu ekspozimin e burimit të lajmit të rremë si një prej zgjidhjeve efiçiente ndaj këtij fenomeni jo pak shqetësues.

Për sa i përket aftësimit të nxënësve në identifikimin e lajmeve të rrema nga ato të vërtetat, ministrja Shahini theksoi rëndësinë e mbështetjes nga ana e ekspertëve dhe aktorëve të medias.

“MASR merret me kurrikulat dhe edukimin e të rinjve. Ne, ekspertizën nuk e kemi – këtë ekspertizë e keni ju si gazetarë, ju si AMA, Instituti Shqiptar i Medias etj. Andaj, ju ftoj juve të na ndihmoni që të ndërtojmë programe të ngjashme që të përdoren nëpër shkolla dhe falë të cilave të ndihmojmë nxënësit në aftësimin dhe edukimin e tyre mediatik për identifikimin e një lajmi të rremë nga ai i vërteti. Jemi shumë të hapur të bëjmë çfarëdo që është e nevojshme në këtë aspekt”, – u shpreh ministrja.

Shahini nuk la pa përmendur gjithashtu edhe disa projekte që po ndiqen aktualisht nga MASR, dhe të cilat kanë në fokus adresimin e kësaj çështjeje.

“Projekti me UNICEF për përdorimin e sigurt të internetit; projekti me British Council për “Shkollat e Shekullit të 21”, ku përmes “microbiteve” nxënësit po mësojnë të kodojnë etj., janë disa prej projekteve të mira që po bëhen me aktorët ndërkombëtarë”, – u shpreh ministrja Shahini.

Për sa i përket ndalimit të përdorimit të telefonave të mençur nëpër shkolla, për ministren Shahini kjo është një masë drastike, e cila është bërë për 2 arsye kryesore: atë të rritjes së vëmendjes së nxënësve në mësim dhe parandalimin efikas të fenomenit të “bullizmit online”.

Ndër të tjera, Shahini nënvizoi edhe faktin se MASR po punon aktualisht për të ndërtuar një strategji të aplikueshme në vend me qëllim kryesor orientimin e mësuesve në vend që të mësojnë nxënësit e tyre për mënyrën e lundrimit të sigurt në internet dhe identifikimin e lajmit të rremë.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Besa Shahini, drejtori i Institutit Shqiptar të Medias Remzi Lani, kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala, përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Roberto de Bernardi, ekspertë të medias, akademikë dhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë. ATSH