Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe delegacioni i BE-së kanë përshëndetur zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi.

Si SHBA ashtu edhe BE nënvizojnë se presin me padurim krijimin e një Gjykate funksionale.

“Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”, thotë ambasada e SHBA-së.

“Sot Parlamenti zgjodhi dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ne e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur” thuhet në deklaratën e delegacionit.

Delegacioni i BE nënvizon se zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është thelbësor për në rrugën e saj të integrimit në BE.

Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji, janë dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese të votuara sot nga Parlamenti.

Me këtë votim Gjykata Kushtetuese shkon në 5 anëtarë duke bërë të mundur funksionimin e dhomës së këshillimit. Për shqyrtimin e dosjeve në seancë, gjykatës i duhen 6 anëtarë. Po ashtu për anëtarin e parë të zgjedhur nga presidenti, Besnik Muçi, është në shqyrtim prej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi e cilësoi si të rregullt procedurën për zgjedhjen e dy kandidaturave.

Deputeti Myslim Murrizi tha se ai dhe opozita janë dakord që të plotësohen vakancat, por jo me kandidatura që nuk janë pranuar në Shkollën e Magjistraturës.

/Ora News.tv/