Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosura për të mbajtur larg tokës amerikane pushtetarët e korruptuar. Në vendin tonë 3 zyrtarë janë shpallur “non grata” nga SHBA për shkak të korrupsionit të shfrenuar, ndërkohë po jepen sinjale se ky numër mund të rritet. I pari që dha sinjalet ishte Sekretari Mike Pompeo, i cili deklaroi se SHBA ka shpallur “non grata” 40 politikanë në të gjithë botën. Në këtë listë janë Tom Doshi, Adriatik Llalla dhe Vangjush Dako, por nuk dihej se kush ishin emrat e tjerë.

Gazeta ka siguruar një dokument nga Kongresi Amerikan, i cili tregon procedurat që ndiqen për bllokimin e vizave ndaj të korruptuarve. Aty është lista me të gjithë zyrtarët e botës të futur në listën e zezë, ndërkohë bëhet me dije se SHBA pritet që me të njëjtën bindje të vijojë edhe gjatë vitit 2020, duke mos toleruar asnjë. “SHBA ruajnë disa mjetet të politikës së jashtme për të goditur korrupsionin e jashtëm dhe shkelësit e të drejtave të njeriut. Një prej tyre është dhe ndalimi i vizave sipas ligjit 7031(c) të DASH, dhe programet e përvetësimeve Ligji, 2019 (SFOPS; P.L. 116-6; 8 U.S.C. 1182). Seksioni 7031(c) kërkon që Sekretari i Shtetit të shpallë zyrtarët e huaj dhe familjen e tyre të afërt të paaftë për hyrje në SHBA, kur ka prova të mjaftueshme këta individë “janë përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm, si korrupsioni në lidhje me nxjerrjen e burimeve natyrore, ose shkelje të të drejtave të njeriut”.

Nuk ka nevojë të ekzistojë një aplikim i hapur për vizë”, thuhet në raport. Më tej bëhet e ditur se nga viti në vit SHBA e ka forcuar nismën për bllokimin e vizave. Aty theksohet se gjithçka nisi në vitin 2008 dhe do të vijojë në vitet në vijim, si një shenjë se SHBA është e përkushtuar në luftën ndaj korrupsionit. “Origjina e seksionit 7031(c) vjen nga përvetësimet e Buxhetit 2008, kur Kongresi u përpoq të identifikonte dhe të bënte të pavlefshëm për hyrje në SHBA, kleptokratë të huaj të përfshirë në praktika korruptive të nxjerrjes së burimeve natyrore. Këtu Kongresi zgjeroi kompetencat në lidhje me zyrtarët e huaj të përfshirë edhe në “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”. Në direktivën FY2015, Kongresi qartëson se përcaktimet e Seksion 7031(c) mund t’i bëhen publikisht ose privatisht personave të prekur nga masat, kurse udhëzimet e “Global Magnitsky” janë të kufizuara për ata që janë të përfshirë direkt ose indirekt në akte korrupsioni ose abuzim me të drejtat e njeriut”, thuhet aty.

Të rrezikuarit

Zyrtarisht me urdhër të Sekretarit të Shtetit janë shpallur të padëshiruar Doshi, Llalla e Dako. Mirëpo sipas raportit, është dhe në dorë të ambasadës të bëjë bllokime vizash. Sipas burimeve ka shumë politikanë në vend që janë bllokuar nga ambasada dhe jo nga DASH. Më të përfolurit janë Sali Berisha e Petrit Vasili. Por nëse u referohemi përcaktimeve në ligjin amerikan, përveç disa politikanëve, më të rrezikuar janë padyshim gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting. Janë 83 emra që janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, pas dyshimeve se pasurinë e kanë vënë përmes korrupsionit. Që para se të niste vetingu, SHBA bëri një listë me gjyqtarët dhe prokurorët që nuk mund të marrin vizë. Sipas informacioneve kjo listë është zgjedhur dhe pjesë e saj rrezikojnë të jenë shumë nga ata që kanë ngelur në veting. Ndërkohë po ashtu bllokime pritet të ketë për këdo që do të dënohet për afera korrupsioni. SPAK sapo ka nisur rrugëtimin e tij dhe pritet të ketë zhvillime në muajt në vijim.