“SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuara në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor që ka qenë themeli për angazhimin amerikan në rajon për më shumë se 20 vite. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”.

Kështu u shpreh i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer nga Davosi ku po merr pjesë në mbledhjen e përvitshme të Forumit Ekonomik Botëror.

Duke folur për moshapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, Palmer thotë se, “kjo nuk është fjala e fundit. Shpresojmë që Këshilli i Europës t’i rikthehet çështjes në mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, të arrijë konsensusin e duhur dhe të nisë atë proces aq të rëndësishëm duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon”.

Palmer e cilëson si zhgënjyes mos gjetjen e konsensusit mes vendeve anëtare për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut teksa shton se vetë rajoni i Ballkanit Perëndimor po zhvillohet.

Nga ana tjetër, duke folur për minishengenin ballkanik, Palmer thotë se “angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtuquajturës “Nisma e minishengenit” është shpresëdhënës, është një tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet. Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara”. /a.g/