Shefikat Narazani (1898-1972)

Nga:Hyqmet Zane

Shefikat Narazani (Sefa) lindi në Elbasan në vitin 1898, në një familje të mesme qytetare e intelektuale dhe vdiq më 26 nëntor 1972.
Që e vogël kishte dëshirë të mësonte dhe të arsimohej, edhe pse në atë kohë shumë pak ishin ato që vazhdonin shkollë, aq më tepër një femër me besim musliman.
Në moshën 9 vjeçare ajo shkoi në Turqi bashkë me nënën dhe vëllain e saj. Atje qëndroi 10 vite edhe iu dha mundësia të vazhdonte shkollën e Stambollit. U kthye në Shqipëri me qëllim që të mësonte femra të tjera në Elbasan.

Në këtë qytet, me gjithë pengesat e kohës, u emërua arsimtare (mësuese). Për një grua si Shefikati nuk ishte e lehtë që të arrinte të bindte edhe burrin e saj, Xhaferr Sefa, të vinin në Shqipëri.
Punoi në Tiranë në shkollën “Kosova” dhe “Kongresi i Lushnjes”, duke dhënë mësim jo vetëm në shkollë, por edhe në shtëpi, veçmas me nxënësit e varfër, që nuk kishin mundësi të vazhdonin shkollën. Edhe kurset kundër analfabetizmit u bënë pjesë e punës së kësaj mësueseje në shkollën e natës.
U internua bashkë me vajzën dhe burrin e saj për 20 vite rrjesht, nga diktatura komuniste.

Ja se çfarë kujton nga ajo kohë Mësuese Myneveri (ish nxënëse e Shefikatit), tani në moshën 82 vjeçare: “Shefikat Narazani ishte një mësuese e shkollës së grave tek godina e shkollës me emrin “Ruzhdie” të ndërtuar nga Abdurrahim Aga Zaimi, që sot fatkeqësisht nuk ekziston më. Ishte guxim i madh që një grua me perçe të zezë t’u jepte mësim në shkollë vajzave elbasanase, duke u ndriçuar botën që do të vinte. Unë, – kujton Myneveri, – isha e vogël 5-6 vjeç dhe në klasën ku unë vajta për të marrë pjesë në mësim, si harriçe në buzë të parmakut të dritares e shqetësoja Zonjën mësuese, Shefikat Narazani, duke përsëritur alfabetin dhe duke ja prishur mësimin, por ajo asnjëherë nuk u mërzit me mua. Ajo ishte një engjëll i bukur që ligjëronte fjalët e saj dhe nuk jepte mësim ashtu kot. Në orët e këngës që më jepte mësuese Shefikati, mësova që në atë moshë vargjet e Hymnit të Flamurit, të Lahutës së Malësisë, vargjet e Mjedës e të Shirokës. Pas nënës sime të shtrenjtë që ishte edhe mësuesja ime e parë e letërsisë, vinte Shefikati. Pasioni i saj për gjuhën e bukur shqipe bëri që ta mësonte atë si Fan Noli, sepse u rrit në Turqi dhe, si naimiane që ishte, i vuri vetes detyrën që të përhapte mësimin e gjuhës shqipe te gratë muslimane të Elbasanit, edhe pse duke mbajtur perçe”.

Burimi: Arkivi Dixhital Elbasan