Valdrin Pjetri nuk do të marrë mandatin e kryebashkiakut të Shkodrës. Edhe pse përgatitjet për ceremoninë e betimit kishin nisur prej ditësh, dalja në dritë e provave për dënimin e tij në Itali e kanë detyruar të tërhiqet. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai ka bërë të ditur se nuk do pranojë të marrë detyrën, duke u dorëhequr nga mandati i fituar më 30 qershor. “Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike, ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës. Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudentë, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajësinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qenë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem”, ka shkruar Pjetri.

Argumentet e Pjetrit

Kandidati socialist argumenton se është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarrë në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt duke marrë kështu vendimin që të dorëhiqet. “Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë. I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor ta ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së kryetarit të Bashkisë Shkodër. Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë! Ishte një ëndërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai. Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua”, ka përfunduar fjalën e tij Pjetri.

Fati i Shkodrës

Me dorëheqjen e Pjetrit, Bashkia e Shkodrës duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Mirëpo Presidenti Ilir Meta nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe ka vendosur një datë tjetër përzgjedhjet, që është 13 tetori. Sipas ligjit, në rast dorëheqje presidenti duhet të caktojë datë të re. Meta me gjasë do thotë që data e re është 13 tetori. Nëse PS futet në zgjedhje në këtë datë, i bie që njeh 13 tetorin dhe pritet që kjo të mos ndodhë. Rruga e vetme është të pritet Gjykata Kushtetuese. Nëse kjo e fundit njeh 30 qershorin, atëherë Meta është i detyruar të shpallë datë të re vetëm për Shkodrën. Nëse Kushtetuesja rrëzon 30 qershorin, do kemi zgjedhje të reja në të gjitha bashkitë.

Kujtojmë se rasti i Valdrin Pjetrit ka qenë një nga rastet me të përfolura ditët e fundit. Akuzat për të erdhën nga Partia Demokratike, ndërsa Partia Socialiste u distancua. “E vërteta mbi këtë rast, s’mund të zgjidhet sipas preferencës apo interesit politik. Ajo duhet të zbardhet deri në fund përmes rrugës së përcaktuar qartësisht në ligj”, ka deklaruar Balla ditë më parë lidhur me rastin e Pjetrit.

Arbjona ÇIBUKU