Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e organizuar nga UEFA për hedhjen e shortit për “EURO 2020”.

Duka shprehet se ka diskutuar me drejtuesit më të lartë të UEFA-s, mes tyre edhe me presidentin Ceferin dhe ish-futbollistin legjendar portugez, Luis Figo, me qëllim sensibilizimin për të siguruar ndihma për zonat e prekura nga tërmeti.

Pasi u ka treguar presidentëve të futbollit të vendeve europiane për gjendjen e jashtëzakonshme nga tërmeti i 26 nëntorit u ka kërkuar atyre mbështetje, në mënyrë që ata të apelojnë te qeveritë e tyre për ndihma.

“Gjatë pjesëmarrjes time në ceremoninë e hedhjes së shorteut të EURO 2020, gjeta mundësinë të flas me drejtuesit më të lartë të UEFA-s me qëllim sensibilizimin për të siguruar ndihma për zonat e prekura nga tërmeti. Bisedova nga afër me Presidentin e UEFA-s Ceferin lidhur me situatën emergjente në Shqipëri dhe i kërkova mbështetjen e institucionit më të lartë të futbollit europian. Kjo temë është diskutuar edhe me këshilltarin e lartë të UEFA-s, ish-futbollistin legjendar portugez, Luis Figo.

Takova dhe fola nga afër me disa nga homologët e mi, Presidentë të Federatave të vendeve evropiane dhe u kam kërkuar mbështetjen e tyre. Ata kanë marrë përsipër si hap të parë të shpërndajnë thirrjen për ndihmë të Shqipërisë në vendet e tyre”, shprehet presidenti i FSHF-së Armand Duka.

atsh