Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti ambasadoren e Greqisë, Sophia Philippidou, me rastin e fillimit të misionit të saj në Shqipëri.

Pasi e uroi për detyrën e re, kryetari Ruçi i shprehu ambasadores Philippidou gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të bashkëpunuar me ambasadën në Tiranë për zgjerimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve.

Gjatë takimit u vu në dukje se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie mes fqinjësh të mirë, partnerësh strategjikë e aleatë në NATO, të cilët ndajnë histori dhe tradita të hershme. Takimi i kryeministrit Edi Rama me kryeministrin Qirjakos Micotaqis, hapën rrugën për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Greqisë për hapjen e negociatave dhe besimin se kjo mbështetje do të vazhdojë.

Kryetari Ruçi shprehu besimin se ky bashkëpunim midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Greqisë do të thellohet, për të kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dhe besimit mes popujve tanë.

“Emigrantët shqiptarë në Greqi janë një urë miqësie midis të dy vendeve. Puna e tyre tyre kontribuon jo vetëm për ekonominë greke, por të ardhurat e tyre janë edhe një burim për zhvillimin e Shqipërisë. Minoriteti grek në Shqipëri është në shtëpinë e tij dhe Kuvendi, qeveria dhe institucionet shqiptare kujdesen dhe garantojnë që ky komunitet të gëzojë të gjitha të drejtat si shtetas shqiptarë”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ambasadorja Sophia Philippidou falënderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe shprehu angazhimin e qeverisë së Greqisë për të punuar për zgjerimin dhe fuqizimin e këtij bashkëpunimi.

“Unë jam e angazhuar për nxitjen e kontakteve midis të dy vendeve dhe avancimin hap pas hapi të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në aspekte të tjera”, theksoi ambasadorja  Philippidou. /a.a/j.p/