– Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal në lidhje me Tatimin mbi të Ardhurat dhe Kapitalin” është diskutuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë dhe Financës.

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Makroekonomike dhe Çështjeve Fiskale në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Niko Lera, prezantoi para anëtarëve të komisionit marrëveshjen, e cila synon të nxisë investimet reciproke mes dy vendeve.

Lera u shpreh se kjo marrëveshje konsiderohet si pararendëse e investimeve të dy vendeve dhe nëpërmjet eliminimit të dyfishtë apo ndarjes së të drejtës së taksimit për të ardhurat dhe kapitalin të krijohen garancitë e nevojshme, për investitorët potencialë.

Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin, krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo sauditë, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që janë objekt i legjislacioneve tatimore të të dy shteteve.

Duke patur aktivitet në të dy shtetet apo duke qenë rezident i njërit shtet që siguron të ardhura në shtetin tjetër, individi apo personi juridik mund të rëndohet me tatim të dyfishtë (për të njëjtën të ardhur të tatohet dy herë) gjë që mund të krijojë premisa për shmangie të tatimit dhe evazionit fiskal.

Kjo Marrëveshje trajton pikërisht faktin se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet, apo duke e ndarë këtë të drejtë midis të dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë.

Marrëveshja gjithashtu, ka dispozita në bazë të të cilave shtetet kontraktuese shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal për subjektet që kanë aktivitet në të dy vendet.

Deri më tani Shqipëria ka lidhur rreth 45 marrëveshje të tilla. /atsh