Shqipëria duket se është më pranë se kurrë hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Në tetor, Franca bllokoi vendimin pozitiv, por dje janë dhënë sinjale të qarta se në pranverë do të jetë një “po” nga Këshilli Europian. Komisioneri për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi u shpreh dje shumë pozitiv për takimin e radhës së KE-së, ku do të vendoset “fati” i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Në një konferencë për mediat në Tiranë, në krah të kryeministrit Edi Rama, i pyetur nga gazetarët se çfarë pritet të ndodhë në takimin në mars, Varhelyi tha se ka nisur diskutime me shtetet skeptike ndaj Shqipërisë, për hapjen e negociatave. “Ndoshta ju keni parë që kam qenë në Paris javën e shkuar. Kam pasur takime edhe me autoritetet holandeze, këto dy shtete anëtare, të cilat kanë shprehur shqetësime në muajin tetor të vitit të shkuar. Ne i kemi diskutuar këto shqetësime që kanë këto dy shtete anëtare. Ndërkohë, unë në fakt po bisedoj dhe me të dy këto shtete që në fakt u ndikuan nga Samiti i Tetorit dhe ajo që po bëj është që po përpiqem të shoh ecurinë, përparimin që është arritur tashmë dhe se çfarë do të mund të arrihet gjatë kësaj periudhe”, tha ai.

Plani i Komisionit

Ndërkohë, propozimet e reja të Komisionit ishin pikë kyçe në takimin e djeshëm të kryeministrit dhe Komisionerin për Zgjerim. Olivar Varhelyi njoftoi se këtë muaj në kuadër të negociatave për anëtarësimin në BE, do të propozohet një metodologji e re, me 4 parime bazë. “Së pari, procesi do duhet të jetë më i besueshëm, do duhet të jetë dhe më politik po ashtu e do duhet që të jetë më i parashikueshëm. Për mua, është përparësi që të bëjmë atë dhe më dinamik. Kështu që ne po përpilojmë tashmë një propozim, i cili do t’i marrë parasysh të gjitha këto gjëra. Shtylla e dytë për mua është që ne të kemi mundësinë të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë vit, përpara Samitit të Zagrebit. Po punojmë për këtë çështje edhe me kryeministrin, por dhe me shtetet anëtare. Shtylla e tretë do të jetë në fakt Samiti i Zagrebit, ku ne shpresojmë që do të flasim e do të tregojmë një plan të zhvillimit ekonomik të të gjithë rajonit në mënyrë që të përshpejtohet pikërisht kjo, ndërtimi i kësaj ekonomie që të jetë edhe më efikase, në mënyrë që këto vende të jenë më pranë standardeve tona”, tha Komisioneri, duke bërë thirrje që reformat të vijojnë punën. Pasi përfundoi fjalimin, ku njoftoi edhe për metodologjinë e re, gazetarët pyetën Komisionerin se a ka ndonjë plan KE-ja përpos metodologjisë? “Në fakt, jam shpresëplotë që me metodologjinë e re, me qasjen e re që do të ribalancojë, ekuilibrojë, në rast se mund ta them në këtë formë, negociatat për anëtarësim, jo vetëm për shtete që dëshirojnë të bëhen shtete anëtare, por edhe për shtetet anëtare të BE dhe po ashtu me përparimin që po vazhdon të arrihet në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ne do të mund ta ndryshojmë klimën politike. Pra, jam shumë shpresëplotë, jam shumë pozitiv. Kam pasur në fakt diskutime mjaft pozitivë në Paris dhe po ashtu edhe me autoritetet holandeze, ne po punojmë fort me vendosmëri që kjo gjë të ndodhë”, tha ai.
Shpërblimi i BE

Në fjalët e fundit, Komisioneri dha lajmin e mirë për Shqipërinë, të cilën ai e quajti shpërblim për punën që është bërë për tu afruar me BE-në. “Kam një lajm të mirë që dëshiroj ta ndaj me ju këtu sot dhe kjo ka të bëjë me faktin që duke pasur parasysh pikërisht performancën apo punën e mirë të bërë nga Shqipëria, në lidhje me punën e bërë deri më tani nga fondet e para aderimit unë kam mundësinë që nga autoriteti buxhetor të japim 28 milionë euro për të ashtuquajturin shpërblim për performancën, punën e bërë, të cilat besoj që do t’ju arrijnë së shpejti”, tha ai.