Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj do të udhëtojnë sot drejt kryeqytetit të Sllovakisë, Bratislavës, për marrjen e presidencës së OSBE.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë për situatën e krijuar nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit, kryeministri Rama informoi se Shqipëria merr presidencën e radhës së OSBE-së.

“Shqipëria merr presidencën e OSBE-së për të qenë në rolin e drejtuesit të OSBE-së. Sot së bashku me Gent Cakaj udhëtojmë drejt Bratislavës për të marrë detyrën”, – tha Rama.

OSBE mbetet organizata më e madhe në botë, e orientuar nga siguria. Ajo u krijua në vitin 1975, në kohën e Luftës së Ftohtë, si një forum Lindje-Perëndim, Aktualisht 57 shtetet e saj anëtare shtrihen në Europë, Azi dhe Amerikën Veriore. Mandati i OSBE-së përfshin edhe kontrollin e armëve, promovimin e të drejtave njerëzore, lirinë e shtypit dhe zgjedhjet e ndershme. OSBE angazhohet gjithashtu në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe rehabilitimin post-konflikt./atsh/