Policia e Tiranës arrestoi dje një 48-vjeçar, i cili me anë të mashtrimit i kishte marrë pronares së një dyqani një shumë prej 10 mijë lekësh.policia tirane

Duke iu referuar burimeve zyrtare të Policisë, A.Ç. ka pretenduar se babait të pronares i duhej vlera monetare e kërkuar, duke bërë që e mashtruara të jepte lekët pa hezitim. Pasi ka rënë në dijeni të mashtrimit, ajo ka bërë kallëzim në Polici dhe pas veprimeve të para hetimore është vënë në pranga 48-vjeçari, i cili pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës për vlerësimin e arrestit të kryer në flagrancë.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në rrugën “Panajot Pano”, ndërsa pas arrestimit vlera monetare është sekuestruar nga Policia në cilësinë e provës materiale. Prokuroria e Tiranës është duke kryer veprimet e tjera hetimore, ndërsa ngjarja është referuar për veprën penale të “Mashtrimit”. Burime nga Policia thanë se prangosja e shtetasit A.Ç. është bërë pak orë nga ngjarja.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 u arrestua në flagrancë, për veprën penale ‘Mashtrimi’, shtetasi: A. Ç., 48 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Kashar, pasi në rrugën ‘Panajot Pano’, në dyqanin e një shtetaseje, me anë të mashtrimit ka përvetësuar shumën prej 10.000 mijë lekësh të reja, me pretendimin se i kërkonte i ati i shtetases, shumë e cila u sekuestrua nga Policia në cilësinë e provës materiale”, njoftoi dje Policia e Tiranës.

ARRESTIMET

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Tiranës njoftoi për arrestime të tjera. Një 23-vjeçar, i cili kishte grabitur një biçikletë në vendin e quajtur Kodra e Liqenit Artificial, është vënë në pranga nga blutë e kryeqytetit. Në po të njëjtën ditë që kishte grabitur biçikletën, i riu kishte thyer xhamat e një magazine më qëllim grabitjen e saj. “Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u arrestua në flagrancë për veprat penale ‘Vjedhja’ dhe ‘Shkatërrim prone’, shtetasi: M. K., 23 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, më datë 10.01.2020, në vendin e quajtur Kodrat e Liqenit Artificial ka vjedhur biçikletën e një shtetasi, si dhe po më datë 10.01.2020, në zonën e Liqenit Artificial ka dëmtuar me thyerje xhamat e një magazine me qëllim për të vjedhur”, njoftoi Policia.

Ndërkohë, në Kamzë është vënë në pranga një 36-vjeçar, pasi dyshohet se ka dhunuar dhe kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij. “Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Kamzë, u arrestua në flagrancë për veprën penale ‘Dhuna në familje’, shtetasi Xh.M., 36 vjeç, banues në Çerkezë, Zall-Herr, pasi ka ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij”, shkruhet në njoftim.

BLEONA METUSHI/