I dënuari me burgim të përjetshëm në Itali qe u arrestua dje ka qene anëtar i Bandës së Durrësit.

Ermir Dervishi, 49 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton i dënuar për vrasje. Dervishi është një emër shumë i njohur për Policinë e Durrësit, pasi është përfshirë në disa ngjarje kriminale.

49-vjeçari ka kryer dhe në Shqipëri dënim për vrasje. Ermir Dervishi në vitin 1999 është dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të ndodhur dy dekada më parë në vendin fqinj.

Operacioni për kapjen e tij u organizua nga Forcat e Posaçme Operacionale të Durrësit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me Zyrën e Interforcës së Policisë italiane. Dervishi ishte i veshur me shapka e pantallona të shkurtra në momentin e prangosjes.

“Ermir Dervishi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit të Alessandrias, në datën 18.02.1999 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja’”, bëhet e ditur nga Policia.

Dervishi rezulton një person i dënuar edhe në Shqipëri për vrasje. Mësohet se në vitin 1998, ai ka vrarë në Kavajë Gentian Duron, krim për të cilin fillimisht është dënuar me 20 vjet burg në mungesë. Në atë kohë, Dervishi është larguar drejt Italisë, ku, sipas autoriteteve italiane, ka bërë edhe vrasjen, për të cilën ka marrë dënimin e përjetshëm. Për më shumë se 14 vjet, 49- vjeçari ka qenë në kërkim, deri në vitin 2011 kur u arrestua në Tiranë nga Forcat RENEA në zonën e “Freskut”.

Pas arrestimit, Dervishi ka nisur edhe një betejë ligjore për dënimin e ngjarjes në Kavajë. Fillimisht, iu drejtua Gjykatës së Lartë, duke kërkuar rekurs, por kjo kërkesë u refuzua. Më pas, Dervishi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke listuar disa arsye për shkeljen e të drejtave të njeriut. Avokati i tij argumentoi se gjatë gjykimit, Ermir Dervishi nuk ishte mbrojtur nga një avokat i zgjedhur prej tij, por ishte caktuar nga shteti. Si dhe gjatë seancave nuk ishte dëgjuar dëshmia e tij mbi ngjarjen. Këto arsye bindën Kushtetuesen që të rikthente për gjykim çështjen në Gjykatën e Apelit të Durrësit.

Nga rigjykimi, nga 20 vite burg, Ermir Dervishit, me trupën e re gjykuese të kryesuar nga Shpëtime Pitaku dhe Anita Mici, në përfundim iu dhanë dënim me 10 vite e katër muaj për “Vrasje me paramendim”. Përveç dy vrasjeve, për të cilat Dervishi është dënuar në Itali dhe Shqipëri, 49-vjeçari akuzohet se është përfshirë dhe në shumë ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në Qarkun e Durrësit për llogari të Bandës së Durrësit.

Por, këto lidhje kriminale të tij me bandën e drejtuar nga Lul Berisha nuk u provuan asnjëherë. Emri i 49-vjeçarit është përmendur disa herë në deklarimet e dhëna nga dëshmitarë të ndryshëm që u thirrën në gjykimin e anëtarëve të Bandës së Durrësit, por ndaj Ermir Dervishit nuk u ngritën akuza të tjera, përveç vrasjes së ndodhur në vitin 1998, ku ekzekutoi shokun e tij, Gentian Duron. Sipas një prej dëshmive, Dervishi kishte blerë një makinë në Kavajë, që më pas ishte përdorur nga Banda e Durrësit për të kryer vrasje.

ARRESTIMI NË 2011

Në nëntor të vitit 2011, RENEA-t e arrestuan Ermir Dervishin në zonën e njohur si “Fresku” në Tiranë, pasi figuronte në listën e personave në kërkim, pasi ndaj tij Gjykata e Kavajës kishte dhënë një dënim me 20 vite burg në mungesë. Ndërkohë, një vit pas arrestimit, në vitin 2012, Dervishi fitoi të drejtën për rigjykim nga Gjykata Kushtetuese, e cila gjeti parregullsi në procesin e parë gjyqësor, edhe pse në fakt procesi kishte kaluar gjitha hallkat, madje edhe në Gjykatën e Lartë.

PANORAMA