Siguria në komunitet, Prezenca e OSBE-së takim në Librazhd
Siguria në komunitet, Prezenca e OSBE-së takim në Librazhd

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi sot, në Librazhd një takim pune dy-ditor me Këshillin Vendor të Sigurisë Publike me qëllimin për të trajtuar çështjet e sigurisë në komunitet përmes një modeli ndërinstitucional dhe bazuar në parime të vlerësimit të performancës.

“Përbërja e këtij grupi trajnimi tregon rëndësinë e përfshirjes së të gjithë sektorëve të shoqërisë në adresimin e çështjeve vendore të sigurisë. Ju e kuptoni sa e rëndësishme është që shoqëria civile, partitë politike, institucionet dhe autoritetet vendore të punojnë së bashku për të garantuar sigurinë në komunitet”, u shpreh në fjalën e tij, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt.

“Produkti i takimit do të jetë një plan konkret veprimi, i cili do të hartohet nga anëtarët e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, me mbështetjen e ekspertëve të trajnimit. Ky plan veprimi do të përcaktojë veprimtaritë dhe çështjet që do të adresohen gjatë vitit 2019”, tha ai.

Prezenca e OSBE-së organizoi takime të njëjtë me Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike në Elbasan dhe Cërrik, të cilat, po ashtu, u finalizuan me hartimin e planeve të veprimit për vitin e ardhshëm.

Trajnimet janë pjesë e një nisme më të gjerë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Fondacionin për Autonomi Vendore dhe Qeverisje, për të punuar me anëtarët e Këshillave të Sigurisë Vendore në bashkitë e Cërrikut, Elbasanit dhe Librazhdit. Këta Këshilla janë ngritur me mbështetjen aktive të Prezencës. /atsh