Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, deklaroi sot se “MIE është e angazhuar në rritjen e sigurisë së rrugëve, janë kryer investime të shumta në akset kryesore të vendit për kompletimin e sinjalistikës së munguar për vite me radhë, të asaj horizontale dhe vertikale”.

Në një konferencë për shtyp mbi rezultatet e hulumtimit të kryer në kuadër të projektit për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë në Rrugë të bazuar në Rezultate (RRMSP), ku ishte e pranishme drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, drejtori i Policisë Rrugore, Mit’hat Tola dhe përfaqësues të projektit.

“Është e patolerueshme që njerëzit të ecin në rrugët e Shqipërisë duke e konsideruar sinjalistikën sikur janë reklama të pijeve freskuese ose sikur janë njoftime për vende pune. Sinjalistika është e lidhur drejtpërdrejt me jetën, respekti për jetën është një nga format e individit, që duhet ngulitur në kokën e secilit”, – tha Shkreli.

Zv/ministri Shkreli u shpreh se “e kam fjalën jo vetëm për mjetet, por edhe këmbësorët, ne asistojmë përditë ku mijëra këmbësorë futen në mënyrë të rrezikshme në akset rrugore, ku kemi shembuj të shumtë në qytete apo edhe në superstrada apo rrugë të standardit A”.

“Në mënyrë që të jemi më të sigurt në rrugë duhet të mësojmë mirë përdorimin e mjeteve të transportit, që të shmangim aksidentet”, – tha Shkreli. /k.s/