Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në mbledhjen e dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimi se sigurimi i banesave duhet të bëhet me detyrim, dhe se kjo është hera e fundit që qeveria mund të paguajë të gjitha kusuret e individëve lart e poshtë.

“Këtu ligjet i kemi edhe më të sofistikuara seç i kanë të tjerët, por zbatimi i ligjit ka qenë problem. Fakti që kemi shumë ndërtime të reja, që janë shembullore nga kjo pikëpamje, tregon se nuk është ligji problem, edhe pse duhen futur elementë të tjerë në ligj, por problem është zbatueshmëria. KÇK-ja ka bërë namin me ndërtimet, namin. Ne dimë raste konkrete që policia ka marrë sipas ligjit dhe ka ndaluar njerëz që ndërtonin për qejf të vet. Shkon në gjykatë mbaron punë dhe mbaron ndërtimin dhe nuk ke çfarë i bën më”, – u shpreh Kreu i Ekzekutivit.

Në përgjigje të propozimit të inxhinieres Luljeta Bozo që pronarët e banesave private të paguajnë gjysmën e fondeve, Rama tha se në këtë situatë nuk mund t’u kërkojmë njerëzve që të paguajnë, por t’u bëjmë të qartë mesazhin se kjo është hera e fundit që qeveria mund të paguajë të gjitha kusuret.

“Nuk mundet sot t’u kërkojmë njerëzve që të paguajnë, por duhet t’ua bëjmë të qartë mesazhin se, kjo është hera e fundit që qeveria e këtij vendi mund të paguajë të gjitha kusuret e individëve lart e poshtë. Duhet që sigurimi i banesës të bëhet i detyrueshëm, sigurimi nga fatkeqësitë të bëhet i detyrueshëm. Gjithkush të sigurohet. Ç’domethënë kjo? Bëhet një katastrofë apokaliptike rregullisht në Amerikë nga uragani, edhe njerëzit përveç asaj që pësojnë, se jetën nuk e mbron dot kur të vjen nga Zoti apo nga natyra, por të paktën pasurinë e ke të siguruar dhe mbaron puna”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “janë një numër goxha i konsiderueshëm, që edhe këtë duhet ta shikojmë tek listat, që kanë marrë rimbursimet nga sigurimet. Sigurimet kanë dhënë deri tani 12 milionë euro”.