Sipërmarrësit e huaj, interes të lartë për investime në Shqipëri
Sipërmarrësit e huaj, interes të lartë për investime në Shqipëri

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi ka zhvilluar sot një takim pune me sipërmarrës të huaj mbi investimet në sektorin e energjetikës, turizmit dhe bujqësisë.

Shalsi ka theksuar se takimet me investitorët italianë, por jo vetëm, janë gjithnjë e më të shpeshta, për shkak edhe të interesit të lartë të tyre për të investuar në Shqipëri.

“Janë gjithmonë e më të shpeshta takimet me sipërmarrës italianë të kërkuara nga Confindustria Albania. Të ardhur nga zona të ndryshme të Italisë, diskutuam mbi potencialet e vendit tonë në sektorin e energjetikës, turizmit dhe bujqësisë. Një bashkëbisedim interesant dhe këmbim i vlefshëm eksperiencash. Njëkohësisht, të interesuar për të kryer investime në Shqipëri janë dhe kompani të tjera prestigjioze që aktivitetin e tyre e kanë shtrirë në shtete të ndryshme të botës”, – thotë Shalsi.

Sipas ministrit, rritjes së interesit për të investuar në vendin tonë, qeveria po i përgjigjet përmes përmirësimit të funksionimit të institucioneve, kualifikimit të burimeve njerëzore, si dhe krijimit të një klime sa më të favorshme për biznesin. /atsh