Tirana është një qytet që ofron mundësi të mira për investime të huaja. Kjo është përshtypja që krijuan një grup prej 60 sipërmarrësish francezë nga krahina e Lionit në përfundim të vizitës së tyre në Tiranë.

Dje pasdite ata u pritën në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i njohu me projektet, mundësitë e bashkëpunimit, lehtësirat që ofron kryeqyteti shqiptar për të investuar, dhe në fund mbollën edhe disa pemë në lulishtet e sheshit “Skëndërbej”, në shenjë të miqësisë mes dy vendeve.

Në emër të delegacionit të sipërmarrësve francezë, Gazmend Toska, president i Klubit të Biznesit Francë-Shqipëri me qendër në Lyon, theksoi se qëllimi i vizitës është krijimi i sa më shumë marrëdhënieve ekonomike midis Francës dhe Shqipërisë, ndërsa u shpreh optimist për vijimin e këtij bashkëpunimi me investime konkrete.

“Jemi këtu me 60 sipërmarrës për të njohur Shqipërinë. Përshtypja e tyre është tejet pozitive me realitetin që ata kanë parë. Kanë qenë në Vlorë, në Berat, në Tiranë dhe shpresojmë që një vizitë e tillë të shoqërohet me vizita të tjera këtë vit dhe vitin e ardhshëm që të jemi në gjendje të krijojmë sa më shumë ura mirënjohje dhe miqësie midis Francës dhe Shqipërisë”, tha Toska.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi biznesmenët francezë për vizitën e tyre, ndërsa garantoi mbështetjen dhe lehtësirat për çdo ide për të bërë biznes në Tiranë. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që veç marrëdhënieve mes qeverive dhe institucioneve shtetërore, të krijohet dhe një bashkëpunim mes qytetarëve, si një mundësi shumë e mirë bashkëpunimi konkret.

Ambasadorja e Francës në vendin tonë, Christina Vasak vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve dhe u shpreh e kënaqur që edhe ajo u bë pjesë e aksionit të gjelbërimit. “Jemi shumë të kënaqur e të nderuar për faktin që kemi kontribuuar në mënyrë modeste në shtimin e gjelbërimit të kryeqytetit shqiptar dhe ky varg pemësh qe u mboll nga ju zoti kryetar, nga zoti Toska e nga të gjithë, do të mbajë emrin Justin Godard, një burrë i shquar francez i cili ka punuar e jetuar për një kohë të gjatë në Shqipëri”, tha ambasadorja franceze në Tiranë, Vasak.

Gjatë këtij takimi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi presidentit të Klubit të Biznesit Francë-Shqipëri, Gazmend Toska në shenjë mirënjohje, simbolin e qytetit, Kullën e Sahatit të Tiranës.atsh